Rawmaterialsalbania

about

Ngrihet në Shqipëri Qendra Rajonale e Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para – EIT RawMaterials Regional Innovation Center

EIT RawMaterials, rrjeti më i madh i lëndëve të para në Evropë, hapi më 23 prill 2024, qendrën e parë dhe të vetme të inovacionit dhe teknologjisë për lëndët e para në Shqipëri- Qendra Rajonale e Inovacionin në Shqipëri -RIC Shqipëri.

Qendra do të ketë në fokus nxitjen e kërkimit shkencor në sektorin minerar, shkëmbimin e eksperiencave dhe rritjen e bashkëpunimit mes profesionistëve tanë dhe atyre të Bashkimit Evropian në kërkim-zbulimin dhe përpunimin e lëndëve minerare, veçanërisht të atyre me rëndësi strategjike, duke u bazuar mbi zhvillimet e fundit teknologjike. Qendra është ngritur në Elbasan, në ambientet e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ceremonia e inaugurimit të qendrës u adresua nga:

  • Zj. Belinda Balluku, Zv. Kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

  • Z. Bernd Schäfer, CEO dhe Drejtor i Përgjithshëm, EIT RawMaterials

  • Z. Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri

  • Znj. Ledi Moisiu, Drejtor i Qendrës Rajonale të Inovacionit në Shqipëri

Në këtë event të rëndësishëm morën pjesë përfaqësues nga Qeveria Shqiptare, aktorë kryesorë në sektorin e lëndëve të para në Shqipëri, përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, AlbEITI, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Universiteti Politeknik etj.

Sektori i lëndëve të para është identifikuar si një ndër sektorët prioritar në Strategjinë e Specializimit Inteligjent të Qeverisë së Shqiptare. Qendra Rajonale e Inovacionit në Shqipëri do të shërbejë si një qendër për rigjallërimin e inovacionit, edukimit dhe nxitjen e bizneseve në fushën e lëndëve të para për Shqipërinë dhe më gjerë në rajon.

Qendra do të luajë një rol kyç në modernizimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të lëndëve të para, përmes promovimit të teknologjisë së gjelbër me qëllim rritjen e furnizimit me lëndë të para nga Shqipëria në tregun evropian.

Qëndra ka gjithashtu për qëllim nxitjen aftësive sipërmarrëse dhe inovative mes specialistëve, studentëve si dhe promovimin e arsimit STEM (shkenca, teknologji, inxhinieri, matematikë) për të zhvilluar aftësitë për nevojat e ardhshme të industrisë së lëndëve të para në Shqipëri dhe potencialisht në rajon.

Ky partneritet shënjon marrëveshjen e parë të këtij lloji mes EIT RawMaterials dhe një qeverie në Ballkanin Perëndimor, duke krijuar bazat e një bashkëpunimi të suksesshëm në vend dhe rajon.

Kjo nismë është në përputhje me ‘Planin e Rritjes’ së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të sigurojë për rajonin disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE, të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike përmes reformave prioritare.

Ky rrugëtim i përbashkët mes EIT RawMaterials dhe Qeverisë Shqiptare synon të çojë përpara qëllimet e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Inovacionit për Ballkanin Perëndimor me qëllim promovimin e zhvillimit rajonal dhe inovacionit të qëndrueshëm.

Qendra do të jetë e hapur çdo ditë për të mbështetur të interesuarit nga sektorë të ndryshëm të industrisë, universitetit, qendrat kërkimore, investitorë dhe inovatorë të zinxhirit të vlerës së lëndëve të para në Shqipëri.

Njoftimin e plotë për shtyp për hapjen e qendrës nga EIT RawMaterials e gjeni këtu dhe në webfaqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për më shumë informacion rreth qendrës, vizitoni faqen tonë të internetit https://www.rawmaterialsalbania.al dhe na ndiqni në platformat tona në median sociale: Instagram , Facebook, LinkedIN, YouTube, Twitter

Translate »